Universitetet, nis aplikimi per vitin 2008: Ja si duhet plotësuar formulari

Aktualitet, Kuriozitete Komente
 
 
 

Ministria: A2, me 10 preferenca. Afati: Deri më 9 korrik

Është çelur aplikimi për në shkollë të lartë. Nga data 23 qershor deri më 9 korrik, një ditë para provimit, të rinjtë mund të plotësojnë formularin A2 në çdo shkollë të mesme. Lajmin e bëri të ditur dje Ministria e Arsimit, përmes zëdhënëses së shtypit. Ashtu si edhe një vit më parë, formulari A2 përmban të gjitha degët e universiteteve shtetërore, të renditura nga njëshi deri tek 200-a. Të rinjtë duhet të zgjedhin 10 nga këto degë.

Kusht për tërheqjen e formularit është pagesa në banka apo në postë e shumës prej 2000 lekësh. Vetëm ata që disponojnë faturën mund të tërheqin formularin pranë shkollës së tyre të mesme. Për t‘u regjistruar në konkursin e shkollës së lartë duhet të plotësojnë këtë formular maturantët dhe ata që mbaruan të mesmen vite më parë, por që nuk fituan dot fakultetin.

MASH ka shpërndarë në drejtoritë arsimore A2-in dhe maturantët do të kenë afat deri një ditë para provimeve me zgjedhje, deri në 9 korrik, për ta plotësuar. Ai është unik dhe duhet plotësuar pa gabime, pasi të dhënat lexohen në kompjuter përmes skanerit. Ndaj Ministria e Arsimit këshillon të rinjtë që të fotokopjojnë formularin dhe të bëjnë prova se si plotësohen, më tej të dorëzojnë në shkollë variantin origjinal. Është kusht që notën mesatare ta plotësojë mësuesi kujdestar, i cili firmos për këtë. Po kështu, formulari firmoset edhe nga drejtori i shkollës.

Dy janë veprimet që duhet të kryejnë të rinjtë në këtë formular. Në kutitë me numra në të djathtë të formularit duhet të vendosin kodin e degëve të studimit të renditura sipas preferencës së tyre. Kështu, një maturant që dëshiron të ndjekë Fakultetin e Mjekësisë duhet të shënojë pranë numrit 1 kodin 033. Ministria e Arsimit bën të ditur se është e detyrueshme të plotësohen 10 preferencat. Hapi i dytë është që përkarshi kodeve në listën e madhe me 200 degë të shënohet në kuadrat numri i preferencës. Sipas shembullit të mësipërm, kandidati që ka primare mjekësinë duhet të shënojë në kuadratin pranë kësaj dege numrin 1.

Konkursi për në shkollë të lartë zhvillohet më datë 10 korrik, përmes provimit të lëndëve me zgjedhje. Këto lëndë kanë numrin maksimal të pikëve, përkrah notës mesatare të shkollës së mesme dhe dy provimeve të detyruara të matematikës dhe letërsisë. Kështu, një kandidat merr 60 për qind të pikëve nga nota e dy lëndëve me zgjedhje, 20 për qind nga nota e dy provimeve të detyruara dhe 20 për qind të tjera nga nota mesatare e shkollës së mesme. Fituesit renditen sipas formulës meritë-preferencë. Meritë është rezultati i tre komponentëve të lartpërmendur dhe preferencë 10 degët e formularit A2 të plotësuara nga kandidati. Përjashtim bëjnë vetëm tre degë: Arkitektura, Artet dhe Sportet. Një maturant merr pikët maksimale të këtyre fakulteteve me testin special dhe jo me provimin e lëndëve me zgjedhje. Kështu, për Akademinë e Arteve 80 për qind të pikëve të konkursit i ka testi special, ose shfaqja që kandidati jep para këtij komisioni në degën e aktrimit apo muzikës. Ndërsa 20 për qind të pikëve i kanë lëndët me zgjedhje, ato me detyrim dhe nota mesatare. Testi special i Arkitekturës, Akademisë së Arteve dhe Akademisë së Sporteve jepet në datat 15-30 korrik në fakultetet përkatëse.

Burimi: Gazeta Shqip

Artikuj të ngjashëm




Komento

WP Theme & Icons by N.Design Studio
Entries RSS Comments RSS Log in
Copyright © 2007 - 2008 WelcomeAlbania.com