Spanja, kampione e Europes pas 44 vitesh

category Sport WelcomeAlbania 30 June 2008

“Furia e Kuqe” mposht 1-0 një Gjermani të shpërfytyruar

Pas 22 ditësh dhe 31 ndeshjesh të luajtura, Euro 2008 njeh edhe kampionen e saj: Është Spanja. E gjitha e merituar në një finale që e kanë administruar mrekullisht në pjesën dërmuese të saj. E ndërkohë që ajo që duhet të hapë krahun, është pikërisht Gjermania, e cila ka treguar shumë pak, për të mos thënë asgjë, për të merituar më shumë. Goli i Torres në minutën e 33-të ka vulosur triumfin spanjoll pas 44 vjetësh. Joakim Lëv ka marrë frymë lirisht pak para fillimit të ndeshjes: Balak është rikuperuar, ndërkohë që është rikthyer titullar edhe Fringst. Lëv e ka skuadrën e tij në skemën 4-1-4-1, por në krahun tjetër Aragones i është përgjigjur me një Spanjë të vendosur 4-2-3-1, me vetëm një sulmues, Torres, ndërkohë që i mungonte golashënuesi më i mirë i Evropianit, David Vija. Fërshëllima e përfaqësuesit italian në këtë finale, gjyqtarit Roseti, i ka dhënë start një beteje mes dy gjigantëve të futbollit në kontinentin e vjetër. Por ata që tregojnë “dhëmbët” që në fillimin e saj kanë qenë pikërisht gjermanët, të cilët prodhojnë shumë, janë më të rrezikshëm, madje arrijnë të kërcënojnë të parët me Hitzlshperger. Spanja kërkon të balancojë ritmin, është kërcënuese në kundërsulme të shpejta. Në një të tillë mund të kishte gjetur golin, nëse Lehman nuk do të kishte reaguar mrekullisht ndaj një autogoli të sigurt të shokëve të tij; apo kur fati e ka shpëtuar në minutën e 23-të, kur goditja e tij me kokë në minutën e 23-të ndalet nga shtylla. Këto kanë qenë sinjalet e para të një ndeshjeje të ndezur, që do të pasohej nga avantazhi i Spanjës, e cila, pasi kishte provokuar disa herë mbrojtjen gjermane, më në fund ka gjetur çelësin për ta thyer atë: është Torres ai që bërë të heshtin tifozët gjermanë, njëkohësisht duke ndezur vullkanin iberik, me golin e tij, kur pasi kishte befasuar në duel shpejtësie Filip Lamin, ka ekzekutuar me perfeksion në rrjetën e Lehmanit. Pas golit, spanjollët bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, qarkullojnë topin e nervozojnë gjermanët deri në fundin e 45 minutëshit. Një avantazh i merituar i Spanjës, që pas një fillimi të mirë të gjermanëve, ka marrë kontrollin teknik të ndeshjes me Torresin protagonist. Nga gjermanët ka munguar rasti ideal: janë parë vetëm disa gjysmë raste me Klose, Balak e Podolski. Pjesa e dytë ka filluar me Jansen në vend të Lahmit, të cilit i kushtoi shtrenjtë ai duel me Torresin. Më pas hyn Kuranji për Hitzlshperger, por spanjollët dominojnë lojtarë shumë të lëvizshëm, të shpejtë e teknikë, ndërsa gjermanët provojnë në të gjitha mënyrat, por mungon pasi i fundit e nervozizmi shtohet. Mbrojtja gjermane është e shpërqendruar dhe spanjollët me shumë lehtësi krijojnë panik në portën e Lehmanit me anë të Serxhio Ramos, Sena e Guiza. Gjermanët janë shpartalluar. Nuk kanë fuqi të bëjnë asgjë, përveçse t‘i dorëzohen fatit. Është Spanja ajo që duhet të ngrejë trofeun pas 44 vitesh, ndërsa gjermanët koleksionojnë një tjetër dështim në finale.

Burimi: Gazeta Shqip

Artikuj të ngjashëm


Lini një koment

Sa bejne 2 + 3? (pyetje antispam)