Shqipëria, nr. 100 në renditjen e FIFA-s

Muaji korrik sjell pozicionimin më të keq të kuqezinjve në pesë vitet e fundit

Shqipëria bie në mënyrë të ndjeshme në renditjen e FIFA-s. Tashmë kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 100 në klasifikim, pas skuadrave të nivelit modest si: Benini, Uganda, Koreja e Veriut, Gambia, Libia, Surinami, Ruanda e Guinea Ekuatoriale, ndërkohë që në pozita më të mira janë edhe Qipro (63) e Burkina Faso (64). Sipas përllogaritjeve më të fundit, kombëtarja ka humbur 16 pikë në krahasim me muajin e kaluar, që ka shkaktuar edhe rënien me 18 vende: nga i 82-ti në të 100-in. Këtu ka ndikuar edhe mungesa e ndeshjeve gjatë muajit qershor, ndërkohë që një pjesë e madhe e skuadrave aktivizoheshin në Euro 2008 (përfaqësueset evropiane) dhe në eliminatoret e Botërorit 2010 (përfaqësueset e kontinenteve të tjera). Në gjysmën e parë të këtij viti kalendarik, skuadra e drejtuar nga Ari Han ka njohur rënie dhe ngritje, por bilanci është negativ, pasi tashmë ndodhet 20 pozicione më poshtë. Në muajin janar, kur tekniku holandez është prezantuar në krye të kuqezinjve, skuadra renditej në vendin e 80, pas mbylljes së keqe të eliminatoreve për Kampionatin Evropian. Edhe pse nuk u aktivizua, gjatë shkurtit Shqipëria e shihte veten e 73-a në botë, por prej këtij momenti fillon rënia. Klasifikimi i marsit “i heq” përfaqësueses një pozicion, ndërsa gjatë prillit, skuadra renditet e 76-a, e qëndron në këto pozita edhe në maj. Qershori ka dhënë goditjen e parë të madhe, duke bërë që kombëtarja ta shohë veten në vendin e 82-të, duke humbur 9 pozicione në epokën “Han” dhe e pozicionuar dy vende më poshtë që prej fillimit të vitit 2008. Vendi i 100 në muajin korrik është klasifikimi më i keq i kombëtares shqiptare në pesë vitet e fundit, pasi në mars të vitit 2003 ajo pozicionohej e 101 në renditjen e organizuar nga “qeveria” e futbollit botëror. Po në atë vit, por në muajin shkurt, kuqezinjtë e shihnin veten në vendin e 100. Klasifikimi më i keq në histori për kombëtaren është regjistruar në gusht të vitit 1997, kur skuadra pozicionohej e 124-ta, ku në harkun e 14 muajve (qershor 1996-gusht 1997) janë humbur plotë 34 vende.

Spanja

Pas triumfit të përpara katër ditëve në Euro 2008, kreu i klasifikimit mujor të FIFA-s është marrë nga Spanja. Iberikët janë skuadra e gjashtë që ngjiten në majë që prej vitit 1993, kur u zbatua për herë të parë kjo renditje, pas Brazilit, Francës, Italisë, Gjermanisë e Argjentinës. Pas spanjollëve renditen Italia e Gjermania, ndërsa Brazili e Holanda dalin nga pesë të parat. E nënta Portugalia kundërshtare e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010, ndërsa kundërshtaret e tjera të grupit, Suedia, Danimarka, Hungaria e Malta renditen respektivisht në vendet 26, 36, 52 dhe 134.

Burimi: Gazeta Shqip

Artikuj të ngjashëm


Lini një koment

Sa bejne 2 + 3? (pyetje antispam)