Arkivi per ‘Letersia Shqiptare’

Vargjet e se dieles: Fan Noli - Hymni i Flamurit

Hymni i Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi. ( Lexo me teper … )

Vargjet e se dieles: Asdreni - I dashur Atdhe

I Dashur Atdhe

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhè,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhè,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

Vargjet e se dieles: Petro Marko - Apologjia ime

Apologjia ime

…Marrezi, turp turp dhe
mekate
per jeten e terbuar
se kur me ndal, o gjenerate,
qe vuan rruges ndonje nate,
me merr per te denuar
dhe, me nje ze qe vret,
ngahera me pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jete, linda ne shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
ne c’dhera e ne c’dete?!
-Cudi! C’kerkon prej meje ti

dhe si, o jete, pyet,
kurse ne varferi
me hodhe kur me gjete
te lindur nga skelete
pa drite, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as me thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lerme, o jete, c’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atehere, jete e krisur,
per mua mos pyet
se qysh ne n’agim kam nisur

te shkel si skllav i shkrete
mbi gjurma shprese drite…
( Lexo me teper … )

Vargjet e se dieles: Lasgush Poradeci - Kroi i fshatit tone

Kroi i fshatit tone, ujë i kulluar,
ç’na buron nga mali, dyke mërmëruar
Vene e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë
cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë, bubu ç’m'u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije
ndezur yll i ballit si yll shenjt ërie.
Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjënd i lyer
që nga rrez’ e malit ç’na buron rrembyer.
Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirrë
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…
Mbrënave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:
Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç’e përshëndeta, siç’m'u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua
Kroi i fìshatit t’onë, tetë sylynjarë
nër tetë krahina qënke kroj i parë
qënke një në botë, s’paskërke të dytë
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Vargjet e së dielës: Naim Frashëri - Bagëti e Buqësi

Bagëti e Buqësi

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them; ( Lexo me teper … )

Vargjet e së dielës Fan S. Noli - Maratonomaku

Maratonomaku

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak! ( Lexo me teper … )

Fan Noli - Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtoj pa fund, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?

Se ç’e shëmbnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës! ( Lexo me teper … )

Pjeter Budi - Madhështi e njerëzve

budi10.jpg
(marrë nga Doktrina e Krishterë)

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?
( Lexo me teper … )

Letersi Shqiptare: Disa poezi nga Martin Camaj

Martin Camaj

 

DITA E MALIT TEM…

Dheu im asht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në det. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s’i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak asht, për shembull,
gjarpën nën gur e gjarpni vetë
na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.

Në muzg atje secili prek ballin e vet
e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet.

 

GJAKMARRJA…

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lot.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mak e vrri. ( Lexo me teper … )

Letersi Shqiptare: Timo Flloko - Pija qe deh

Timo Flloko
 

Timo Flloko - Pija që deh

I thashë zemrës, je në risk
Kur kaq fort ti rreh!
Pse të trembem, thotë zemra
Ndjenjat pse t’i fsheh…?!

Sa pandehma, iluzione
Gracka fati ngreh?!
Zemra ime, dashuria
Është “pije” që deh…!

Me shigjeta helmatuese
Të godet e ti s’sheh
Le të gjuajnë, gufon zemra
S’më vdes ai helm…!

Dhimbjen kur unë thellë ndjej
Botës pse t’ia fsheh
Çfarë më shumë se dashuria
Na merr mendtë, na deh!

Burimi: guribardhe.naturalforum.net

Bardhyl Londo - Leter Popullit tim

bardhyl-londo.jpg

LETER POPULLIT TIM

Populli im, buken e mengjesit nen sqetull,
nje cigare tymzeze,
sy rrathenxire nga pagjumesia.
Ku po shkon kete fundshekull?
Hapat e tu-. simfoni e nente bethoviane,
mengjesi. dileme hamletiane,
mesdita-. plak urt, femije rebel,
ne c’enderr hyn, valle naten,
nga c’enderr ne mengjes, valle del?
Ti, i pasigurti si nje syth marsi,
Ti, i sigurti si deti,
me i urte se vete Buda,
Me martir se Krishti,
Me profet se Muhamedi. ( Lexo me teper … )

Letersi Shqiptare: Ismail Kadare - Kristal

Ismail Kadare
 

Ismail Kadare - Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dine as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.

Burimi: guribardhe.naturalforum.net